Dosja e SPAK-ut për korrupsion 20-vjeçar të Arben Ahmetajt tregon se si ish ministri kishte konsoliduar një kartel brenda dhe jashtë administratës, me qëllim përvetësimin e parave dhe pasurive publike, pastrim i parave të vjedhura, kontrollin dhe shfrytëzimin për plaçkitje të disa degëve të qeverisjes.
Karteli i Ahmetajt përbëhet nga të afërm të tij, duke nisur që nga kunetërit, shokë të besuar, mikesha besnike në afera me pozicione kyçe në administratë, biznesmenë etj.
Në kartelin e Arben Ahmetajt kanë rëndësinë dhe peshën e tyre edhe gratë, 14 nga të cilat Tigri i ka përdorur për finalizimin e aferave korruptive.
Pjesë e kartelit prej 14 grave të Arben Ahmetajt janë Vasilika Vjerro e Pranvera Fagu, dyshe që konsiderohet edhe si një rreth i mbyllur pasi zëvëndësojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
Vasilika Vjero është një investim dhe pjesë e klanit të Arben Ahmetajt, sot nē kërkim për korrupsion dhe pastrim parash.
Në vitin 2013, me ndërhyrjen e Tigrit, i cili çfarë i përshpëriste në vesh Ramës bëhej realitet, Vasilika Vjero emërohet drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Bixnesit, aty ku është bërë regjistrimi i biznesve, çrregjistrime, humbje gjurmësh kompanish, nipte abuzive etj., në disa raste në funksion të zhvatjes me TVSH dhe pastrimit të parave.
Në 2016, Vasilika Vjero ikën nga QKB-ja dhe më pas emërohet nga Tigri drejtoreshë e Tatimeve, ndërsa në vitin 2020 shkon zv ministre e Financave, duke mbuluar tatimet dhe doganat, duke vepruar si dora e besuar e Ahmetajt.
Ndërkaq, Pranvera Fagu u emërua në vitin 2015 në krye të drejtorisë së Doganve, post që e mbante më parë Elisa Spiropali.
Kur Vasilika Vjero u emërua në krye të Tatimeve, Pranvera Fagu shkoi në vend të Vasilikës në krye të QKB-së në vitin 2016, duke plotësuar rrethin e mbyllur të Tigrit.
Përmes dy zonjave, Arben Ahmetaj, që sot sulmon përmes një rrjeti mediatik Edi Ramën, Erion Veliajn, ish ministra, ministra dhe ish shokë të tij, kontrollon sot degë të financave për punët e tyre të pista.
Alda Klosi, një tjetër ish zyrtare, sot në burg pasi kishte mbushur banesën me para korrupsioni, ishte një nga më të besuarat e Arben Ahmetajt. Madje ditën që i vodhën një pjesë të parave, telefonatën e parë Alda Klosi e ka bërë me Arben Ahmetajn, ndërsa ishin edhe komshinj në një prej zonave më të shtrenjta të kryeqytetit, pranë Liqenit Artificial të Tiranës.
Alda Klosi ishte shefja e kabinetit të Ahmetajt gjatë kohës kur ishte zv/kryeministër dhe ministër i Rindërtimit.
Klosi ka qenë edhe drejtoreshë e Drejtorisë së Koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë kur në krye ishte pikërisht Arben Ahmetaj. Gjatë kësaj detyre, pasuria e Alda Klosit u shumfishua.
Në fund, Ahmetaj e çoi Alda Klosin tek AKEP, që drejtohet nga një tjetër i besuar i tij, Ervin Mete, sot ministër i Financave.
Një tjetër e besuar e Arben Ahmetajt është Gelardina Prodani (Duçka) me të cilën ka finalizuar afera korruptive me kosto dhjetëra milionë euro, kur Ahmetaj ishte ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave.
Gela ishte sekretare e Përgjithshme në Minisrinë e Financave. Në vitin 2019, Ahmetaj e çoi në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u finalizuan tendera dhe koncensione të tjera me përfitues shokët e Ahmetajt.
Kur Ahmetaj ishte ministër i Ekonomisë dhe Prodani sekretare e Përgjithshme tek Financat, finalizuan disa privatizime korruptive, duke shmangur ministrin e Financave Shkëlqim Canin, i cili nuk firmoste asnjë procedurë të paligjshme.
Pasi Ahmetajt zëvëndësoi Canin në krye të Financave, Gela dhe Tigri nuk kishin më asnjë pengesë në finalizimin e aferave korruptive me koncensione dhe privatizime që po hetohen nga SPAK, ku spikat kalimi i pronave tek Fabrika e Miellit dhe 5 Maji në duart e Lirim Fezollarit.
Mbi 84 herë pemendet në dosjen e korrupsionit të Ahmetajt Alba Thoma. Mbase shumëkujt i është dukur një personazh i çuditshëm, por Alba Thoma, si Drejtoreshë Juridike e Ministrisë së Mjedisit ishte kthyer në personazhin kyç që rakordonte punët mes shokëve të Arben Ahmetajt dhe ministrive për finalizimin e biznesit të inceneratorëve.
Kunatë e motrës së Fatmir Mediut, Alba Thoma qëndron prej 18 vitesh në pozicione kyçe të afministratës, duke shtyrë përpara me letra çdo aferë korruptive.
Në procesin e investimit të parave të korrupsionit në pasuri të palujtshme, Arben Ahmetaj ka përdorur ish bashkëshorten Albina Mançka si dhe bashkëjetuesen Eriola Hoxha.
Në emrin e Eriola Hoxhës, Ahmetaj kaloi vilën në Hamallaj, e sekustruar nga SPAK-u. Ahmetaj ka implikuar edhe mamanë e Eriolës, Teuta Hoxha, për mbulimim e vilës në Hamallaj.
Për të inspektuar punimet në dy vilat e korrupsionit në Palasë dhe Gjirin e Lalzit, Arben Ahmetaj ka angazhuar edhe nën e tij, Ferdane Ahmetaj, si dhe dy motrat Bruna Mene dhe Ana Nazeraj.
Për t’u kujdesur për vilën në Palasë, Ahmetaj ka angazhuar edhe pastruesen, Meleqe Pillati.
Në dosjen e SPAK-ut shfaqet Pranvera Karapici, e cila shoqëronte jashtë vendit të dashurën e Ahmetaj, Eriola Hoxha.
Alba Caroshi evidentohet nga hetuesit e SPAK si këshilltare dhe e besuar e Arben Ahmetajt. Ky i fundit e përfshinte shpesh në delegacionet zyrtare kur ishte ministër dhe zv/kryeministër.
Jo vetëm kaq. Alba Caroshi rezulton pjesë e rrethit të Ahmetajt, rreth të cilin Tigri e kishte emëruar dhe shtrirë në pozicione kyçe në ministritë e Ekonomisë dhe Financave, si dhe në degët e tyre, duke e përdorur për realizimin e aferave të ndryshme me përfitues gjithnjë klani i biznesmenëve, të cilët ndanin përqindjen me Ahmetajn si dhe i mbulonin pastrimin e parave të korrupsionit
Për shembull, Ahmetaj e kishte emëruar Alba Caroshin në janar 2016 anëtare e Këshillit Mbikyrës të Albpetrol, kompani të cilën Ahmetaj do t’a përdorte për realizimin e aferave korruptive me klientët e tij biznesmenë.