Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë.
E në raste më të rralla, janë burrat ata që kërkojnë ndihmë si viktima të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur në një familje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 40-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal, e shoqja e ka rrahur dhe i ka shkaktuar lëndime në trup.