Ja si ka qenë Shqipëria e ’97. Më mirë se në këtë rrëfim të Kosenit nuk do ta gjeni kund tjetër.
Nuk është i majtë, megjithëse pohon me zë të ulët se në Peqin edhe këlyshët e maceve lindin komunistë.
Në 4 qershorin e shkuar mbushi 32 vjeç, ndonëse i pëlqen të thotë 33 . Është i gjatë dhe pse nuk duket.
Simpatik, me fytyrë të qeshur dhe sy të dashur, fjali që askush nuk duhet ta ketë artikuluar të plotë para tij, i frikësuar nga fama prej polici të fri kshëm.
Ka lindur, është rritur dhe nuk pranon të ikë nga shtëpia e vogël e Peqinit, së cilës së fundi i ka shtuar dy dhoma dhe jeton bashkë me familjen. Nuk do të flitet askund, asnjë fjalë për familjen dhe nuk është çudi të nxehet aq shumë, sa pasi të lexojë këtë shkrim, të më marrë në telefon dhe të përdorë të njëjtin ton, siç thuhet në një gazetë.
Ndonëse Koseni nuk pranon kurrsesi të ketë telefonuar në gazetë, e aq më shumë të ketë kërcënuar. “Ndoshta ka qenë Agron Llakaj që më ka imituar zërin. Ai çfarë nuk bën”, thotë peqinasi, që u bë i famshëm, kur prangosi Nehat Kullën.
KOSENI JETA TJETËR
“Nëna ime ka qenë rrobaqepëse. Babai punëtor. Jemi katër fëmijë. Jam fëmija i parë, por nuk më kanë përkëdhelur ndonjëherë. Isha i prapë, por pa vese. Njerëzit më të respektuar për mua qysh i vogël ishin babai, mësuesit dhe policët e Peqinit. Edhe sot nuk kam ndërruar mendim. Familja, shkolla dhe shteti janë të parat dhe të vetmet”.
Nuk i kishte shkuar ndërmend asnjëherë të bëhej polic, sikundër nuk i kishte ndodhur kurrë t’i trokiste në derë një polic, për ndonjë prapësi të mundshme vogëlushi. “Të të vijë polici në derë, ishte gjëma, turp më të madh nuk kishte, duhej të kishe bërë ndonjë gjë të tmerrshme, dhe mua s’më kujtohet të bëja të tilla. Unë mësoja dhe luaja, pastaj kthehesha në shtëpi. Motrat e mia gjithashtu. Madje nuk kam bërë policin, as për to, në kuptimin që t’i ruaja kur dilnin jashtë e zihesha me ndonjë djalë në i ngacmonte. Sepse në familjen time edukata dhe rregullat ishin ligj dhe asnjë nuk e shkelte ligjin e shtëpisë”.
Pastaj përfundoi në Akademi. 4 vjet në Tiranë, kaluan pa probleme për djalin e ardhur nga Peqini, i cili merrte vetëm dhjeta. Pas përfundimit të shkollës, bëri një tjetër shkollë policie me korrespondencë, derisa në vitin ’89 u gjend oficer në Ersekë. “Qytet i qetë, pa probleme. Unë isha i ri dhe pa eksperiencë. Atë kohë vetëm kam vëzhguar dhe mbledhur përvojë. Pastaj nga fundi ’93 më dërguan në Peqin si komandant policie. Ishte koha kur nisën të krijonin probleme për pozicionimin politik, por me mua s’u mor kush.
Në qytetet e vogla njerëzit janë më të ftohtë politikisht, se janë aq të ngatërruar në krushqira e farefisnira, sa ligjin e bën gjaku, jo politika. Ndaj, i majtë apo i djathtë, s’më ngacmoi kush, për më tepër që unë isha e mbetem i depolitizuar”. Rrëmujat e ’97 e gjetën shef komisariati në Peqin. Çuditë që përfshinë gjithë Shqipërinë, nuk mbërritën dot deri te peqinasit, që s’patën mundësi t’i gëzohen shpërthimit të depove, për të cilat Koseni ishte kujdesur jo vetëm t’i ruante me policë, por edhe t’i saldonte dyert me shufra hekuri.
Asokohe në qytezë nuk ndodhi asgjë nga ato, për të cilat veçse u lexua në gazeta. I sigurt se e la Peqinin në duar të sigurta të komisariatit të policisë që nuk u thërrmua për asnjë çast dhe në hijen e famës së tij, që pak nga pak po krijohej, Koseni pranoi detyrën si shef komisariati në Tepelenë. “Shef komisariati i thënçin. Ku kishte komisariat Tepelena! Unë kërkoja të mblidhja efektivin, atje kishin vjedhur edhe dorezat e dyerve. Nga gushti ’97 deri në tetor ’97, pak nga pak, u bënë të gjitha. U mblodhën ca çuna të mirë, policë të mrekullueshëm, u rregullua komisariati, u mblodh ç’ishte vjedhur dhe u vu rregull. Po nuk dua të flas më shumë. Shkoni më mirë të pyesni në Tepelenë.”
Në këtë kohë Koseni ra dhe në sy të medias, një intervistë e gjatë për BBC, pastaj intervista nëpër gazeta. Ishin kohë të tjera ato kur edhe ai besonte te shtypi, besim ky që tashmë i përket vetëm së shkuarës, sepse tani nuk mban as telefon me vete, që të mos e kapin gazetarët.
Nga Tepelena përfundoi në Lushnje. “Kisha për të bërë akoma në Tepelenë, por pranova të lëvizja që të isha sa më afër Peqinit, me qëllim që ndonjë darkë të shkoja të haja në shtëpi, se kur vinte fundi i 15 ditëshit, atëherë sado kërkoja nëpër xhepa, nuk kisha asnjë qindarkë dhe s’e kisha për gjë të flija pa ngrënë. Pastaj në Lushnjë filloi puna e vërtetë.
Atje komisariati si godinë ekzistonte, por policët nuk i dalloja mirë sa për qind ishin të lidhur me bandat. M’u desh ca derisa ta zbuloja. Pastaj nisi kapja e bandave. Banda e Karbunarës ishte më e rrezikshmja. I kapëm të gjithë, me përjashtim të njërit që e vrau një çam nga Fieri. Edhe çamin e kapëm.”Në mars ’98 Koseni nisi punën si drejtor policie në Elbasan, detyrë që vazhdon ta mbajë edhe sot, dy vjet më pas, ndërsa nuk i kanë kërkuar kurrë, siç thuhet, të vijë në Tiranë, gjë që ai dhe vetë s’e ka fare me qejf.
“SI KAPA KATESHIN DHE KULLËN!”
Tani në Elbasan kanë harruar edhe të flasin për bandën e Kateshit, Cërrikut, Mandelën, etj., banditë nga më popullorët e qytetit, që nga fundi i ’97 e kishin për zakon të pinin kafen, nëpër kioskat rreth e rrotull komisariatit. Ndonëse Koseni e ka me qejf të tregojë për kapjen spektakolare të Kateshit në mes të Tiranës, në mes të natës, që xhelozoi jo pak shef Havarin.
“Çfarë xhelozie , s’është e vërtetë. Ishte detyra e policisë së Elbasanit ta kapte Kateshin dhe ne e kapëm. Kishim marrë informacion se ndodhej në Tiranë. Nuk i thamë kujt veç ministrit për planin e kapjes dhe u nisëm për në Tiranë në mbrëmje vonë. Informatorin e kishim peng, por të sigurtë se ndodhej në vendin ku na tha, nuk ishim derisa e kapëm. Ishim 60 policë, që e kishim marrë në sy edhe luftën me kriminelin, po pati fat e s’kishte luftë. Nga ora 21.00, kaluam në lagjen ku ndodhej, krijuam një ide, duke ardhur rrotull me një makinë civile. Mblodhëm ca informata për lagjen, për njerëzit dhe pastaj i hodhëm një sy pallatit, ku dinim se ndodhej. Kështu derisa ora vajti 3.00 pas mesnate. Në atë orë 60 policë, çuna të shkëlqyer dhe trima, që dinin se do bëhej luftë, por s’dinin me kë, sepse ishte vendosur që sekreti të qe total, rrethuan pallatin.
Një grup bashkë me mua shkoi te dera, të tjerët kishin armët në dorë, gati për çdo të papritur. E hodhën derën në tokë me leva, hekura e shkelma, e morëm Kateshin në krahë dhe e zbritëm nëpër shkallë, për ta hedhur në furgon. Nuk më kujtohen hollësitë, po e gjitha zgjati 3 minuta, asnjë minutë më shumë.” Koseni nuk pranon ta ketë shndërruar Kateshin në kufomë me një sy, sikundër u padit më pas, kur doli para gjyqit.
“Syrin e kishte vet të plagosur. E vërteta është që vumë dorë mbi të, por nuk më kujtohet. Di të them që ato nënat që i kanë mbuluar kokat me shami të zezë, pse ka jetuar në Elbasan një Tan Katesh, kur morën vesh që e kapëm, nuk na kanë lënë bekim pa dhënë mua dhe shokëve të mi.”
Nehat Kulla, pastaj, është një histori më vete.
“Më thanë që kaloi Elbasanin me një rresht makina, për të shkuar s’di ku. Makina me simbolet e policisë dhe perde. E mendova që do kthehej përsëri nga ajo rrugë për të shkuar në Tiranë. Kështu ndodhi. I ndaluam për t’i pyetur ç’kërkonin me simbolet tona, kur ishin veçse civilë. Pastaj iu bëmë dhe kontroll në makinë dhe iu gjetëm depo armësh brenda.