Pas ndarjes nga jeta e birit të vetëm, vjen me një mesazh rreqethës shkrimtarja Flutura Açka.
Teksa ka gjetur forcë të falenderojë gjithë ata që i janë gjendur pranë në këto ditë zije e dhimbjeje pa fund, ajo ndan me gjithë të njohurit e te panjohurit në rrjetin social ‘Facebook’, leksionin më të madh që i dha djali i saj.
“Si të gjesh tokën pas shtrëngatës në oqeanin e dhimbjes. “Mam, prova jote se më ke dashur vërtet, fillon tani. Nëse do të dish të vazhdosh. Bëj gjënë më të mirë që di të bësh! Shkruaj! Të shkruash është terapia jote. Bëje, Mam, mos hyr në spiralen e dhimbjes, atje humb.”
Postimi i Flutura Açkes
Miqtë e mi të vyer,
Ka ditë që përpiqem të formuloj disa rreshta falenderimi për ju, por e kam patur të vështirë të ulem e të shkruaj, edhe pse jam njeri i stërvitur me fjalën. Lebetia që kalova, dhe po kaloj, e ftoh njeriun me botën, e vetmon zemrën, por vala e dashurisë dhe e merakut njerëzor që më ka rrethuar këto ditë, më ka bërë të ndjej një prani të papërmastë në këtë humbje të madhe.
Nuk e kisha ditur se isha në mesin e një mbrojtjeje të tillë njerëzore, të cilën nga shkujdesja dhe nxiti i përditës, nuk kam mundur ta mas, as ta kuptoj si duhet. Në ditët e pikëllimit tim akut, kjo prani u shfaq me të gjithë peshën, shqetësimin dhe përkorien e vet. E tillë, si e askund.
Miq shumë të shtrenjtë të jetës sime, të afërm e familjarë të ngushtë, morën rrugët nëpër Europë të më ishin pranë këto ditë. Mijëra e mijëra e mijëra e mijëra mesazhe e telefonata, në të gjitha format që shpiku teknologjia, më kanë mbërritur, bashkë me lutjen që t’i ndjej se janë pranë meje.
Në të vërtetë, janë pranë meje, dhe unë lutem të gjej qetësinë e duhur që t’u përgjigjem e t’i falenderoj me po atë dashuri që më kanë shkruar dhe trajtuar humbjen time këto ditë. Lexues, miq që kam takuar në jetën time, qytetarë të thjeshtë që shpesh më kanë ndalur në rrugë, të panjohur të shumtë,