Aksi Orikum – Dukat, me gjatësi rreth 15 km, është tashmë i hapur për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Lajmi është konfirmuar nga Edi Rama i cili bën me dije se rruga e re rrit sigurinë dhe lehtëson qarkullimin, pasi ky aks shmang kalim në rrugën që kalon në shpatin e malit të Dukatit.
Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut.
“Një rrugë e shumëpritur, e cila do të ofrojë siguri e mbi të gjitha dhe shkurtim të ndjeshëm të trajektores nga Vlora për në jugun e Shqipërisë”, theksoi Rama.