Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur shpesh herë që turizmi në Shqipëri është një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Sipas Ramës, rritja e turizmit në Shqipëri do të sjellë mirëqenie ekonomike dhe rritje pagash.
Shqipëria vlerësohet që të jetë vendi i tretë me rritjen më të madhe të turizmit në botë për vitin e kaluar. Por njëkohësisht Shqipëria ishte vendi me rritjen më të madhe të certifikuar të transportit ajror në të gjithë Europën, madje ndër tre vendet e para në botë.
Aeroporti i Rinasit, i cili ka pasur vitin e kaluar 5.2 milionë pasagjerë, ose thuajse dyfishin e asaj që kishte në vitin 2019, pritet që të ketë një fluks akoma më të madh këtë vit. Vetëm në 4 muajt e parë ka gjysmë milioni më shumë udhëtarë sesa ka qenë në vitin 2021, që mund ta çojë parashikim e këtij viti në rreth 8 milionë pasagjerë, duke e bërë një rekord jo vetëm për Shqipërinë, por njëkohësisht një ndër nivelet më të larta të aeroporteve ballkanike.