Emisioni “Stop” trajtoi këtë të martë një rast shumë të rëndë ku një 24-vjeçare është raportuar se është hedhur nga ballkoni në Durrës, në vitin 2021, por babai i saj hedh dyshime se është vrarë nga bashkëshorti.
Lidhur me vrasjen e Anisa Gjinit në Durrës, OPGJ Shkëlqim Osmani, duket se më shumë ka ndihmuar në inskenimin e kësaj ngjarjeje. Ai nuk ka këqyrur banesën brenda për të gjetur shenja të dyshimta, që mund të ndihmonin hetimin. Ai është mjaftuar me 4 fotografi dhe e ka mbyllur me kaq gjithçka.
Për këtë arsye i dyshuari kryesor, bashkëshorti Alfred Gjini, mundi të dalë i pafajshëm pas 6 muajsh burg që urdhëroi prokurorja e Durrësit, Edina Kurti. Në urdhrin e prokurores dyshohet se ngjarja nuk është vetëvrasje me hedhje nga ballkoni, por vrasje.
“Nuk i bëri 6 muaj burg doli… Ai shëtit me makinë, goca ime rri në gropë. Këto gjëra nuk kam për t’ia falur”, tha babai i viktimës.
Petraq Çuri ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për Alfred Gjinin.
Strategji zvarritjeje e këtij procesi vetëm e vetëm për të favorizuar të dyshuarin kryesor, Alfred Gjinin.
“Do pres drejtësinë. Do çoj deri në fund drejtësinë, pastaj edhe unë e kam vendosur çfarë mund të bëj. Nuk mundem të duroj më”, tha babai.
Petraq Çuri dhe prokurorët dyshohet se janë implikuar edhe në heqjen e akuzës për Alfred Gjinun, atë të vrasjes.
Gjyqtari Petraq Çuri është shkarkuar disa ditë më parë nga detyra pasi nuk justifikonte një pasuri me vlerë 700 milionë lekë.
Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri në vitin 2017 liroi nga burgu Alket Hatinë, i konsideruar nga mediat si lordi i drogës në Milano.
Ministrja e Drejtësisë në atë kohë, Etilda Gjonaj, kërkoi shkarkimin nga detyra të Petraq Çurit, por ky i fundit shpëtoi.