Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e reja e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët keqpërdorin seksualisht. Një rast tronditës dyshohet të ketë ndodhur për disa vite me radhë në Ferizaj, ku një vajzë është keqtrajtuar seksualisht nga djali i pronarit të kompanisë ku punonte, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Kushtrim Sherifin, 40-vjeçar.
E gjithë ngjarja e trishtë kishte filluar në dhjetor të vitit 2020, ku bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari pa dëshirën e saj, e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale në zyrën e kompanisë ‘Sharri’, e cila merret me prodhimin e dyerve dhe laminatit.
Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, Sherifi dyshohet se që nga atëherë në mënyrë të vazhdueshme e ka kërcënuar 23-vjeçaren dhe të njëjtën e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale herë në zyrë të kompanisë e herë në motele të ndryshme.
Frikës për ta denoncuar rastin dhe për të kërkuar ndihmë, viktima i dha fund vetëm mbrëmë kur edhe rrëfeu para organeve të hetuesisë gjithë ngjarjen tronditëse me të cilën ishte ballafaquar për vite me radhë.