Një aferë kriminale e 13 viteve më parë, më tragjikja që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar, me protagonistë në prapaskenë Shkëlzen dhe Sali Berishën, që solli si pasojë 27 viktima, plagosjen mbi 200 personave dhe rrafshimin e rreth 300 shtëpive e bizneseve, po çon më në fund në duart e SPAK-ut Fatmir Mediun, i cili më shumë se një dekadë më parë i shpëtoi drejtësisë me procedurë dhe me petkun e imunitetit, falë edhe kontrollit të Berishës mbi Gjykatën e Lartë.
11 vjet pasi Gjykata e Lartë mbylli rrugët për ndëshkimin e kokave që kishin ideuar dhe kopsitur letrat për Gërdecin, si dhe në një kohë kur Vetingu ka ‘palosur’ shumicën e gjyqtarë ‘ushtarë’ të Sali Berishës, SPAK ka kërkuar të marrë të pandehur Fatmir Mediun.
Por, provat shkresore, tabulatet telefonike, dëshmitë, kërcënimet për të mbyllur gojën dhe rrethanat tregojnë se, Fatmir Mediu, në cilinë e ministrit të Mbrojtjes, ka kopsitur letrat për biznesin vd.ekjeprurës në Gërdec, duke vepruar për interes dhe nën kërkesat e Shkëlzen Berishës dhe babit të tij, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër dhe shef i Mediut.
Nuk ka deri më sot prova apo dyshime që Mediut të ketë përfituar personalisht të ardhura nga biznesi i demontimit të municioneve në Gërdec, por ka fakte se ka vepruar për llogari të interesave të djalit të ish-kryeministrit, i cili edhe në këtë histori del si sekser.
Tabulatet telefonike janë prova më e fortë që konfirmojnë se Shkëlzeni ishte njeriu kyç në historinë e Gërdecit.