Shqipëria është ende sot një nga popullsitë më të reja në Europë, me një moshë mesatare prej 38.2 vjeç, por pas disa dekadash pritet që të jetë popullsia më e plakur, jo vetëm në Europë, por në të gjithë globin.
Llogaritjet janë bërë nga njësia e përpunimit të të dhënave “Visual Capitalist”, që ka analizuar të dhënat e divizionit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.
Deri në vitin 2100, një sërë vendesh aziatike dhe kombesh ishullore, që përballen me rritje të ulët të popullsisë, pritet të kenë më shumë se një të tretën e popullsisë së tyre në moshën 65 vjeç ose më të vjetër, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Xhamajkën, me 44%.
Por, thekson “Visual Capitalist”, nivelin më të lartë në botë pritet ta arrijë Shqipëria, që do të ketë 49% të popullsisë mbi 65 vjeç në vitin 2100./ MONITOR