Nga prilli i ’60-s, nga një ndërtesë njëkatëshe në krah të Rrugës së Kavajës, bashkë me emisionin e parë historik televiziv, u shfaq dhe një folëse.
“Të dashur teleshikues, Televizioni eksperimental Shqiptar fillon emisionin e tij të parë ”, ishte fraza me të cilën ajo iu drejtua teleshikuesve të pakët. Ka kaluar gati gjysmë shekulli, kur Stoli Beli, një vajzë e re, u pa në ekranin shqiptar dhe për dekadat që vijuan do të krijonte ikonën e televizionit kombëtar.
Ndonëse në vite folëset do të ndryshonin, të tjera do ta pasonin Belin, shprehja “Të dashur telespektatorë mirëmbrëma, po fillojmë transmetimet”, do të mbetej unikale e pandarë, e pandryshuar dhe që do t’i shoqëronte në karrierën e tyre “Zonjushat Mirëmbrëma” të TVSH-së, të cilat i dhanë jetë këtij roli të patjetërsueshëm.
Fytyra të bukura, simpatike, brune e bionde, me një buzëqeshje natyrale, me një zë melodioz, qëndrim karakteristik, me një shqiptim korrekt, kështu kanë mbetur në memorien e publikut televiziv.
Mimoza Tafaj ishte njëra prej tyre. Figurë e rëndësishme në vitet e televizorëve bardhezi të markave “Butrinti”, “Dajti”, prodhim të URT-së, ku shfaqej vetëm një kanal: TVSH. Që në momentin e parë të komunikimit e njoha dhe e kuptova se ishte Moza, ajo e dikurshme, njëra nga “Zonjushat Mirëmbrëma”, një zë i bukur, i dashur për publikun. Prej kohësh e kërkoja në Tiranë, por do të ishte surprizë kur do ta gjeja në Amerikë, atje ku jeton prej disa vitesh.