Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i rëndë ka ndodhur sot pasdite në Ferizaj, ku një person dyshohet të ketë tentuar t’i japë fund jetës së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë shkuar me urgjencë në ‘Village’ ku kanë gjetur viktimën në gjendje të rëndë. 19-vjeçari dyshohet se ka konsumuar mbidozë të ilaçeve për qetësim.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Motivi që shtyu të riun të bëjë këtë veprim, dyshohet të jetë gjendja e rëndë emocionale në të cilën ndodhej pas ndarjes nga e dashura e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.