do_shortcode('[rt_reading_time]')

“Enveri më donte shumë, më ftoi në shtëpi dhe më thoshte ‘hajde këtu afër’, kurse Nexhmija…”/ Dëshmia e këngëtares së famshme: E ndryshova mbiemrin sepse..

Shperndaje ne:
Koha e leximit: 9 min.

Ajo nuk e fsheh se ka qenë një nga këngëtaret e preferuara të udhëheqjes komuniste. Ka kënduar nëpër mbledhje, takime delegacionesh, madje dhe në ditëlindjen e diktatorit.

Naile Hoxha, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës popullore shqiptare, tregon se si ia nisi rrugës së muzikës, si erdhi në Tiranë me kërkesën e Enver Hoxhës, për të ndërtuar një karrierë gati 60-­vjeçare. Naile Hoxha, nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar.

E ka zgjedhur vetë Enver Hoxha, ka kënduar për delegacione të huaja, madje edhe në përvjetorin e 60­-të të diktatorit. Ajo nuk e fsheh se edhe mbiemri i njëjtë me udhëheqësin e asaj kohe, e ka ndihmuar shumë.

Me një zë melodioz, fytyrë të qeshur, një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun dhe udhëheqjen komuniste, interpretuese e dhjetëra këngëve, tregon se si i hyri rrugës së këngës, kur ishte vetëm 13 vjeç, si e solli Enveri në Tiranë, udhëtimet jashtë shtetit dhe marrëdhëniet me këngëtaret e tjera.

Sa për sot, ajo thotë se është më mirë, por nuk i pëlqen aspak që këngëtaret zhvishen në skenë. “A do të këndosh apo të tregosh trupin”?!, pyet ajo me habi, pasi që gjithë jetën e vet, ka kënduar e veshur me kostume popullore, e prapë se prapë, ka qenë shumë e suksesshme. Naile Hoxha thotë se, nuk e kishte frikë sistemin e shkuar, por nuk e ka as nostalgji. Ajo bënte mirë atë që dinte të bënte.

Ka kënduar bukur e me ndjenjë, si këngët për dashurinë, si këngën e famshme “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj., ashtu edhe ato për Partinë. Dhe kur e pyet se si i ka rezistuar atij regjimi, ajo thotë thjesht: “Kam qenë e urtë. Nuk kam bërë asgjë tjetër, veçse kam kënduar”. Më shumë ajo rrëfen vetë në këtë intervistë

Znj. Naile, a e mbani mend kur keni dalë për herë të parë në skenë? Si ka ndodhur?

Kam qenë 13 vjeçe, kur kam dalë për herë të parë në skenë. Unë punoja në një shtypshkronjë. Aty këndoja për qejf dhe kur më dëgjuan, zëri im u pëlqeu. Më thanë dilja dhe të këndoja. Pata sukses që herën e parë, kur dola në skenë. Më pas më ka marrë Radio-Shkodra dhe që në moshë të re, kam bërë disa regjistrime.

Flitet se ju jeni zgjedhur nga vetë Enver Hoxha për të kënduar. A është e vërtetë?

Po, e vërtetë. Erdhi njëherë në Shkodër, tek Shtëpia e Kulturës. Na thanë se duhet të këndonim, me rastin e vizitës së Enverit. Ai erdhi. Kur u ngjit për shkallësh, i bukuri i dheut ishte…! Atëherë ishte 42 vjeç. Këndoi Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja dhe të gjithë të tjerët. Mua më lanë për në fund. Këndova këngën: “Në pranverë që kena hi/drandofilja po lul’zon…”, një këngë që ta nxjerr mirë zërin. E këndova dhe e përshëndeta. U bëra gati të shkoj në vendin tim. Foli shkodranisht: “Po hajde, hajde njëherë ti k’tu”. Unë shkova ku ishte Enveri dhe i vendosa dy duart tek krahët. Më pyeti se a shkoj në shkollë. Jo, i thashë unë, vetëm tek shkolla e natës, sepse punoj në shtypshkronjë.

“Punon dhe këndon, shumë mirë”, tha ai. “Po kush asht njaj djali atje”?, prap shkodranisht më pyeti. “Është i fejuari”, i thashë. Erdhi burri im dhe i dha dorën, e pyeti se ku punon dhe i tregoi se ishte shofer. E pyeti për moshën. Atëherë ai ishte 18 vjeç, kurse unë 15. “Shofer dhe me kurajo”, tha Enveri. Meqë i pëlqeu zëri im, tha se duhet të shkonim në Tiranë. U martuam dhe shkuam në Tiranë, pas 3 vitesh nga ajo ditë. Kur shkova, Ansambli nuk ishte hapur akoma dhe më dërguan tek Estrada.

Ju keni shumë këngë të bukura, që i këndoni dashurisë, rinisë, natyrës etj. Po për partinë, a keni kënduar?

Për partinë kam kënduar shumë. Ata kishin mbledhje, vinin edhe të huaj. Nuk e di si do duket ta them, por zëri im pëlqehej shumë. Kështu që kam kënduar shumë për Partinë. Kush e di sa herë kam kënduar “Rrofsh Enver sa malet tona”.

Dihet që kënga popullore dhe përgjithësisht arti tradicional, u serviret si vlerë dhe krenari delegacioneve të huaja. A jeni ftuar gjatë kohës së komunizmit, për të kënduar para delegacioneve të huaja, apo përgjithësisht para vizitorëve të huaj?

Shumë herë kam kënduar për të dhe jam takuar me shumë të huaj. Ia kam harruar emrin një Mbreti (bëhet fjalë për Princin e Kamboxhias, Samde Norodom Sihanuk. Shënimi ynë), që ka ardhur njëherë për vizitë në Tiranë. Ai kishte ardhur në një mbrëmje me Enver Hoxhën dhe krerët e lartë të shtetit të atëhershëm. Unë u vesha si malësore dhe dola e këndova. Mbreti i tha Enverit; “shumë bukur ajo që këndoi më përpara dhe shumë bukur edhe kjo që kërceu”.

Enveri ia ktheu se; “Është e njëjta, ajo që këndoi e ajo që kërceu”. Pra, unë edhe këndoja edhe kërceja. Që e vogël, vinin lodraxhinjtë dhe shkoja me ta, këndoja e kërceja me ta. Për të gjitha delegacionet e huaja, më të rëndësishme, kam kënduar unë. Por me të huajt, nuk kam biseduar, sepse nuk dija gjuhë të huaj.

Cilët nga ish­ udhëheqja e lartë, i kishte më për zemër këngët tuaja?

Nuk mund të them për këtë. Gjithsesi Enver Hoxha më ka pëlqyer shumë, por edhe Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerë funksionarë të lartë të kohës. Më kanë pëlqyer përgjithësisht të gjithë. Sidomos kur interpretoja këngët shkodrane.

A ju ka ndodhur që funksionarë të lartë të PPSH­-së t’ju kenë ftuar që të këndoni në gëzimet e tyre familjare?

Po, kam shkuar kur Enveri mbushi 60 vjeç. Më çuan që të këndoj për ditëlindjen e tij. Këndova këngën: “Kuvendon Marta me gra/ Burrin plak mjerë kush e ka/ Hall më të madh nuk ka moj motra/ Kur e sheh burrin ndej te votra/ 60 vjetat i ka mbush…”! Kur kam thënë “60 vjetat i ka mbush”, sikur më ra të fikët e më erdhi turp, sepse Enveri kishte 60­ vjetorin dhe atij nuk i dukej shumë. Menjëherë e kam ndërruar dhe kam bërtitur: “E vërteta është partia/ i falsha shumë prej ditëve të mia…”!

Pra të njëjtës këngë, ia ndërrova dorë për dorë tekstin. Më pas, kur po zbrisja shkallët, për të shkuar aty ku isha ulur, Enveri më tha: “Naile, unë nuk të njoha”. Mbeta unë dhe nuk kisha çfarë të thoja e, nuk fola fare…! U stepa. Më pa se u frikësova dhe më tha menjëherë: “Eja, eja këtu në tavolinën tone”. Shkova në tavolinën e tyre. (Gjatë mbrëmjes, bëhej një lojë. Një grua shpërndante ca letra të palosura. Kujt i binte ajo me vrimë, ishte me fat).

Enveri e kishte pa birë letrën edhe unë pa birë. Më tha: “Naile nuk na ra gjë”. I thashë: ‘Po, po, mua po’. “Jo, tha, nuk na ra”. I thashë: ‘Unë kam shumë fat, se jam te tavolina juaj’. Sepse kujt i binte letra me birë cilësohej me fat. Aty ishin në tavolinë Nexhmija, Mehmet Shehu dhe gjithë të tjerët. Për të tjerët, s’kam kënduar në festa familjare, vetëm për Enverin.

Ju mbani mbiemrin Hoxha. A ju favorizoi gjatë komunizmit ky mbiemër, të cilin e kishte edhe ish-­udhëheqësi i PPSH-­së, Enver Hoxha?

Unë mbiemrin e vajzërisë, e kam Tula, ndërsa nga ana e burrit, e kishim Hoxhiç. Meqë Enveri e kishte Hoxha, mua më përafruan dhe ma bënë Hoxhaj. Unë i thashë: Shoku Enver, unë nuk e kam mbiemrin Hoxhaj, por Hoxha. “Po pse ta kanë ndërruar”, më tha. Nuk e di, i thashë. “Mirë, tha, se e rregulloj unë”. Unë kisha dëshirë ta bëja si udhëheqësi dhe ashtu ndodhi. Mbiemri më favorizoi shumë.

A keni dalë jashtë shtetit për të kënduar gjatë sistemit komunist? Nëse po, a nuk ju shkoi në mendje që të arratiseshit?

Po, unë kam dalë shumë jashtë Shqipërisë, për të kënduar. Kam qenë në; Kinë, Vietnam, Kore, Bullgari, Rumani, Francë, Angli, Algjeri, Tunizi në Itali dhe shumë shtete të tjera. Aq shumë e doja Shqipërinë, sa në një rast, kur ishim jashtë, erdhi përgjegjësi dhe i tha Luçije Milotit. Luç, do të rrimë edhe 3 ditë më shumë. “Ah sa mirë, – tha Luçija dhe e pyeti; a do të na japin lekë”?

“Po, tha ai, – po shkoj me i marr”. ‘E di ç’ke ti, i thashë unë, -shko e merri ato lekë, unë do nisem që nesër për Shqipëri’. Nuk e kam dashur vendin e huaj. Ne ishim në Egjipt kur ndodhi kjo. S’jam tunduar që të arratisem. Unë kam vajzën në Gjermani. Ndenja 3 vite atje dhe nuk munda më shumë, ika se ika. E dua Shqipërinë. Kurrë nuk mendoja të arratisesha. S’kam pasur frikë nga ai sistem, asnjëherë.

Një jetë me këngën popullore, a keni tentuar që të këndoni edhe këngën e lehtë?

Jo, asnjëherë, sepse s’më ka pëlqyer. Vetëm këngën popullore. Vaçe Zelën e kisha shoqe të ngushtë. Jemi dashur fort dhe Vaçja më pëlqente shumë kur e këndonte, por ishte shumë e rëndë si muzikë. Vetëm Vaçja e këndonte, kurse unë doja populloren.

Është folur shumë që këngëtaret e muzikës së lehtë kanë pasur rivalitet dhe spiunime mes njëri-tjetrit. Po mes këngëtarëve të këngës popullore, si kanë qenë marrëdhëniet, a ndiheshin xhelozitë mes njëri-tjetrit?

Njëherë na thanë se keni një mbledhje dhe na thanë se do këndonim dhe do flisnim për Partinë. Unë as nuk fola, e as nuk këndova në atë mbledhje. Kur kishim një shfaqje, Drita Papajani më tha: “Ti nuk këndove e as nuk fole për Partinë”?! Unë i thashë: “A e di se çfarë ka thënë Partia? Atë fjalë që e flas unë, ka thënë shoku Enver, tregojeni në skenë se, njësoj ka folur për mua, kur një këngëtare është e zonja në skenë. Edhe unë në skenë, jam e zonja”.

Pas kësaj bisede, Papajani nuk ka folur për mua, sepse e kishte babain prift dhe nuk mundte. Spiunime nuk ka pasur mes nesh këngëtarëve të këngës popullore, sepse “na e ka mbledhur” Partia dhe nuk ka mundur kush. Nuk ka guxuar kush.

A ju ka ndodhur që ndonjë koleg/kolege, të ankohet në parti apo ndokund tjetër për ju?

Jo nuk është ankuar kush, sepse kam qenë tejet e dashur me shokët e shoqet. E zonja e punës, po dhe nuk kanë pasur nevojë.

Si ka arritur Naile Hoxha, t’i shpëtojë atij sistemi që ka ndëshkuar shumë artistë të tjerë?

Kam qenë e urtë. Nuk kam bërë asgjë tjetër, veçse kam kënduar.

Ngacmime a kishte për ju femrat nga udhëheqja?

Jo, jo, për mua jo. Nuk njoh as ndonjë tjetër. Nuk jam ndjerë keq asnjëherë. Edhe Nexhmija më ka dashur fort. Kur ishte puna për të shkuar jashtë shtetit, mua më vinte të parën në listë dhe pastaj vendet e tjera i linte bosh, për t’i vendosur të tjerët. Artistin e do çdo qeveri dhe artistët duan çdo qeveri, sepse mua, nuk më duhet gjë si e drejton vendin dikush, sepse puna e një artisti, është vetëm për të kënduar bukur.

Më mirë atëherë, apo sot?

Jo, më mirë sot. Shqipëria ka ndryshuar totalisht. Nuk kam nostalgji për atë kohë. Një gjë ka pasur të mirë, shkoja për të kënduar dhe rrija deri në 2 të natës, dhe askush s’të thoshte asnjë fjalë.

Po këngëtarët, ishin më të mirë atëherë apo sot?

Atëherë më të mirë ishin. Sot zhvishen femrat këngëtare lakuriq. Nuk bën. A do të këndosh apo të tregosh trupin?! Njëherë, më dërgoi drejtori i Estradës, të këndoj në një dasmë, sepse martohej një shok i tij. U desh ta dëgjoja, se ishte drejtori…! Shkova dhe i thashë burrit tim: ‘Do shkoj të këndoj, se më ka thënë drejtori, marton një shokun e vet’.

Shumë mire, më tha, dhe nuk bëri zë. Të nesërmen dola në punë dhe erdhi burri im tek drejtori dhe i tha: “Dua të heq Nailen nga puna”. U çudit, pse, tha, është më e mira. “Jo, i tha ai, e kam futur në punë, për t’i kënduar popullit, e jo shokëve tuaj që martohen”. Që atëherë, drejtori s’më tha asnjëherë më. Enverit nuk ka mundur që t’i thoshte kështu natyrisht, se kishim frikë.

A ka sot këngëtarë, si; Luçije Miloti, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja e të tjerë?

Jo nuk ka, nuk vijnë më. Të gjithë kanë vdekur dhe nuk i ka zëvendësuar kush. Edhe unë do vdes, sepse jam 82 vjeçe dhe nuk ka kush të më zëvendësojë. Memorie.al/ Nga Senad Nikshiqi

Related Posts

Banka i transferoi gabimisht mbi 6 milionë euro, burri nga Turqia i kthen se janë ‘haram’

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 1 min.Kur Özkan Aydik, një punëtor pastrimi 42-vjeçar me banim në distriktin Gölcükler të rrethit Menderes në Turqi, hyri në aplikacionin mobile banking…

FOTO/ U godit nga kova e fadromës, ky është i riu që humbi jetën në Mirditë…

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 0 min.Personi që shihni në fotot, është 38-vjeçari Arbër Caka, i cili humbi jetën tragjikisht mesditën e sotme në Mirditë. Caka ndërroi jetë…

Letra e Ilir Metës nga burgu, fajëson Monikën për shpenzimet e paligjshme

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 9 min.Një javë pasi u arrestua nga forcat speciale që e tërhoqën zvarrë nga mjeti i tij, Ilir Meta i ka dhënë përgjigje…

Enigma e 460 mijë eurove/ Berisha-Kryemadhit: Trego si ia dorëzove Ramës

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 3 min.Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Kokës dhe deputetes së Partisë së Lirisë,…

Rezart Veleshnja mëson për arrestimin e Metës, reagimi është epik

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 1 min.Naim Bunjaku, i njohur në publik si Xuxi, është banori më i ri në Big Brother VIP Kosova, pasi iu bashkua garës…

TRAGJIKE! Treni me 90 pasagjerë del nga shinat

Shperndaje ne:

Shperndaje ne:Koha e leximit: 0 min.Një tren pasagjerësh doli nga shinat në Norvegjinë veriore, raportojnë mediat e huaja. Sipas informacioneve të publikuara, nuk raportohet për lëndime të…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *