Lauren Spaho është 20-vjeçari shqiptar që u qëllua 25 herë me thikë nga disa arabë në Suedi, pasi ndërhyri për të ndarë një sherr në një disko.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 8 maj, ku i riu nga Korça ka qenë në një disko bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij me kombësi arabe.
Mësohet se në disko ka nisur një sherr midis bashkëmoshatarëve të 20-vjeçarit dhe Laureni ka ndërhyrë për t’i ndarë bashkëmoshatarët e tij.
Por pasi kanë dalë nga disko, grupi i të rinjve me kombësi arabe, kanë sulmuar brutalisht 20 vjeçarin duke e qëlluar mbi 25 herë me thikë. Ai u dërgua në spital ku qëndroi në gjendje kome për 24 orë dhe më pas fatkeqëisht humbi jetën për shkak të plagëve të marra.
Autoritetet suedeze kanë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe më pas policia shqiptare ka njoftuar familjen e 20-vjeçarit për ngjarjen e rëndë.
Ndonëse kanë kaluar 10 ditë, familja e 20-vjeçarit nuk ka arritur që të marrë trupin. Familjarët e të riut pretendojnë se ambasada shqiptare në Suedi nuk i ka ndihmuar për kthimin e trupit në atdhe. Ndërsa autoritetet suedeze kërkojnë që të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore dhe nuk po lejojnë marrjen e trupit të 20-vjeçarit nga familja.