Sipas burimeve brenda Ministrisë së Financave, po finalizohet një pako e re e rimëkëmbjes ekonomike me vlerë rreth 200 milionë euro. Dokumenti është ende në fazë përpunimi teknik dhe politik dhe pritet të dërgohet fillimisht në Qeveri për miratim, e më pas në Kuvendin e Kosovës për votim.
Pakoja parasheh një sërë masash sociale dhe ekonomike që synojnë lehtësimin e kostos së jetesës dhe rritjen e aktivitetit ekonomik. Një nga masat kryesore është një pension shtesë prej 150 eurosh për të moshuarit, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve dhe ndikimit të inflacionit.
Në kuadër të mbështetjes familjare, parashihet edhe një pagesë mujore prej 100 eurosh për secilin fëmijë. Kjo masë synon të ndihmojë familjet në përballimin e shpenzimeve të përditshme dhe të rrisë konsumin familjar në një periudhë të vështirë ekonomike.
Pakoja përfshin gjithashtu subvencionim për sektorin privat, në nivelin 50% të pagës mesatare në vend, si dhe mbështetje për bujqit përmes uljes së kostos së derivateve. Në fokus janë edhe studentët, si dhe lehonat, për të cilat pritet zgjatja e pagesës nga 6 në 12 muaj.
Sipas burimeve, ky dokument mbetet ende në finalizim dhe pritet të harmonizohet plotësisht para se të hyjë në procedurat zyrtare qeveritare dhe parlamentare për miratim.