Nga ambientet pranë Bllokut të Sigurisë te Mine Peza, ku po mbahen 11 protestuesit e arrestuar pas protestës së mbrëmshme, deputeti demokrat Klevis Balliu ka folur për mediat disa orë pasi ai dhe kolegë të tij përfunduan në spital pas përplasjes me policinë.
Balliu e cilësoi ndërhyrjen e forcave të rendit si një nga aktet më të rënda të dhunës të regjistruara në një tubim proteste, duke theksuar se situata ka qenë jashtë kontrollit dhe me pasoja për pjesëmarrësit.
Ai pretendoi se protestuesit dhe deputetët e opozitës janë goditur me shkopinj gome dhe janë ekspozuar ndaj sprajve dhe gazit lotsjellës, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar dëmtime dhe shqetësime serioze shëndetësore.
Në deklaratën e tij, Balliu kërkoi që efektivëve të policisë t’u bëhet test për substanca narkotike dhe akuzoi institucionet për përdorim të tepruar të forcës, duke paralajmëruar reagime të mëtejshme politike ndaj asaj që ai e konsideron dhunë ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës.