Një nga vendimet e para të firmosura nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhet me riorganizimin e shërbimeve të policisë, duke parashikuar heqjen e pranisë së dukshme të policisë rrugore në akset nacionale dhe zona të tjera.
Në një telegram drejtuar drejtorive vendore, ai argumenton se shumë drejtues mjetesh kanë shprehur shqetësime për ndalimet rutinë pa bazë të qartë ligjore, si dhe për vonesat e panevojshme që këto kontrolle shkaktojnë gjatë lëvizjes.
Hita ka urdhëruar që nga data 10 prill të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve me arsyetimin “për verifikim”. Në vend të kësaj, shkeljet e qarkullimit rrugor do të konstatohen kryesisht përmes teknologjisë, përfshirë radarët automatikë të shpejtësisë dhe përdorimin e dronëve.
Në rastet kur situata kërkon ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe verifikim në terren, strukturat e policisë duhet të hartojnë plane të qarta kontrolli. Këto pika kontrolli do të drejtohen nga drejtuesit e sektorëve ose seksioneve të policisë rrugore, për të garantuar zbatim të rregullt dhe të koordinuar të masave.