Drejtoria e Taksave të Bashkisë së Tiranës rikujton se data 20 prill shënon afatin përfundimtar për bizneset që të paguajnë këstin e parë, në masën 50%, të taksës së pasurisë së paluajtshme. Mosrespektimi i këtij afati sjell pasoja financiare, përfshirë kamatëvonesa dhe gjoba shtesë.
Për pronat me qëllim tregtar, afatet për taksën e ndërtesës mbeten të njëjta. Gjysma e detyrimit duhet të shlyhet deri më 20 prill, ndërsa pjesa e mbetur, gjithashtu 50%, duhet të paguhet deri më 30 qershor.
Sa i përket taksave dhe tarifave të tjera vendore, afati për pagesën e tyre është përcaktuar deri më 31 maj. Ky ndryshim është miratuar në korrik të vitit 2025 dhe mbetet në fuqi për periudhën aktuale fiskale.
Njëkohësisht, bizneset dhe pronarët e pronave tregtare janë të detyruar të përditësojnë të dhënat e tyre, si xhiroja, vendndodhja dhe sipërfaqja. Ky proces realizohet përmes formularit të vetëdeklarimit në portalin e-Albania, duke ndihmuar në llogaritjen e saktë të detyrimeve dhe shmangien e pasaktësive.