Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku paraqitet një portofol i gjerë i pasurive të paluajtshme dhe kursimeve bankare.
Sipas deklarimit, ai zotëron disa prona, përfshirë një shtëpi prej 480 m² të trashëguar me vlerë 150 mijë euro, si dhe banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke që arrijnë në dhjetëra mijëra metra katrorë, me vlera që në disa raste kalojnë 180 mijë euro për parcelë.
Në dokument përfshihen edhe dy banesa në pronësi të tij, njëra 38 m² me vlerë 40 mijë euro dhe tjetra 149 m² me vlerë 105 mijë euro, si dhe toka të ndryshme të blera ndër vite përmes kursimeve familjare, bashkëfinancimeve dhe huazimeve.
Sa i përket mjeteve financiare, Lladrovci ka deklaruar mbi 115 mijë euro kursime në banka. Ai gjithashtu ka disa vetura, përfshirë Audi, Mercedes-Benz dhe Volkswagen, ku disa prej tyre janë në emër të fëmijëve, si dhe angazhime familjare në kompani dhe huazime që tejkalojnë 100 mijë euro, ndërsa të ardhurat vjetore nga paga e tij si kryetar komune janë rreth 18 mijë euro.