Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është ftuar si folëse në një konferencë të nivelit të lartë që do të mbahet në Nju Jork.
Ajo bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar një bisedë me Dr. Nabhit Kapur, Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm për Ujin dhe Kanalizime në Kombet e Bashkuara.
Sipas Pacollit, nga kjo bisedë ka ardhur edhe ftesa që në muajin korrik të marrë pjesë si folëse në Konferencën e Nivelit të Lartë Politik për Ujin në Nju Jork.
Ministrja theksoi se kjo ftesë është e rëndësishme, veçanërisht në një kohë kur mbrojtja dhe menaxhimi i ujit, si dhe investimet në diga dhe liqene akumuluese, janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti.