Dëmet e shkaktuara nga zjarri do të kishin qenë shumë më të vogla nëse materiali i përdorur për fasadën do të kishte përmbushur standardet e sigurisë. Inxhinierët e ndërtimit theksojnë se, në përpjekje për të ulur kostot dhe për të rritur fitimet, ndërtuesit jo gjithmonë respektojnë kushtet urbanistike dhe elementët mbrojtës që janë thelbësorë për sigurinë e banorëve.
Eksperti për mbrojtjen nga zjarri, Mariglen Sakolli, shprehet se ndërtuesit shpesh orientohen drejt materialeve më të lira, edhe kur ato nuk plotësojnë standardet dhe kriteret për mbrojtje nga zjarri. Kjo praktikë, sipas tij, rrit ndjeshëm rrezikun në raste emergjencash, duke e bërë më të vështirë kontrollin e flakëve dhe duke rrezikuar jetën e njerëzve.
Nga ana tjetër, inxhinierja e ndërtimit Luljeta Bozo thekson se ndërtimi ka rregulla strikte që nuk duhet të shkelen në asnjë rrethanë. Ajo nënvizon se nuk është normale që një fasadë të marrë flakë, pasi materialet termoizoluese duhet të jenë të sigurta dhe të padjegshme. Sipas saj, ekzistojnë materiale më të kushtueshme, por në raste të tilla nuk duhet të bëhen llogari financiare, pasi në lojë është jeta e njerëzve.
Përgjegjësia për ngjarje të tilla nuk bie vetëm mbi ndërtuesit, por mbi të gjithë sistemin e kontrollit, i cili sipas Bozos ka dështuar në këtë rast. Ajo thekson rëndësinë e certifikatave të cilësisë për çdo material ndërtimi dhe evidenton mangësitë në zinxhirin e kontrollit në Shqipëri. Megjithatë, fatmirësisht flakët nuk kanë dëmtuar strukturën e ndërtesës, çka do të thotë se banorët mund të rikthehen në apartamentet e tyre. Ngjarje të tilla mbeten një kambanë alarmi për sigurinë dhe investimet e qytetarëve.