Samiti i Diasporës është shoqëruar me reagime të drejtpërdrejta, ku juristja Eva Baçi, e cila punon në Prokurorinë e Bolonjës, ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën si trajtohet diaspora shqiptare.
Gjatë një paneli me përfaqësues politikë, ajo deklaroi se institucionet “i kanë mbyllur dyert Shqipërisë”, duke theksuar se shumë profesionistë jashtë vendit kanë dëshirë të kontribuojnë, por nuk gjejnë hapësirë reale për përfshirje.
Baçi kritikoi edhe vetë organizimin e samiteve, duke i cilësuar si “filma të bukur”, ku diaspora mbetet vetëm spektatore dhe jo pjesë aktive e vendimmarrjes. Sipas saj, këto aktivitete nuk përkthehen në politika konkrete.
Ajo shtoi se shpesh zëri i emigrantëve nuk dëgjohet dhe se edhe kur kërkojnë të flasin, nuk u jepet mundësia për t’u shprehur. Kjo, sipas saj, krijon një hendek të madh mes diasporës dhe institucioneve.
Në fund, ajo kritikoi politikën në tërësi, duke përmendur edhe Taulant Balla, për të cilin tha se është larg realitetit të diasporës. Mesazhi i saj ishte i qartë: pa përfshirje reale, Shqipëria rrezikon të humbasë një potencial të madh njerëzor.