Në Kosovë po vazhdojnë diskutimet për një pako të re mbështetëse financiare, ku një ndër masat kryesore është ndarja e një pensioni shtesë për pensionistët. Megjithatë, kjo ndihmë pritet të jepet vetëm një herë dhe jo si rritje e përhershme mujore.
Sipas burimeve, kjo masë synon të ndihmojë përkohësisht pensionistët, të cilët janë ndër kategoritë më të prekura nga rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës. Theksohet se bëhet fjalë për një pagesë të vetme dhe jo për një ndryshim afatgjatë të nivelit të pensioneve.
Pakoja e re, e cila është ende në fazë diskutimi, pritet të përfshijë disa kategori përfituesish, duke nisur nga pensionistët e deri te fëmijët dhe punonjësit e sektorit privat. Qëllimi është që mbështetja të shpërndahet në mënyrë sa më të gjerë.
Përveç pensionistëve, në këtë pako parashihet edhe ndarja e 100 eurove për fëmijët si mbështetje direkte për familjet. Gjithashtu, po shqyrtohen mundësi të ndryshme për punonjësit e sektorit privat dhe familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencioneve apo ndihmave direkte, me synimin për të lehtësuar barrën ekonomike.