Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të hënë se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” të betejës së saj politike. Ai theksoi se përgjigjja ndaj qeverisë do të vijojë përmes protestave, deri në largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.
Berisha u shpreh se opozita ka lënë pas problemet e saj të brendshme dhe tashmë fokusi i vetëm është përballja me atë që e cilësoi si “pushteti i krimit”. Sipas tij, sfida aktuale është e përqendruar te qeverisja dhe mënyra se si ajo ushtron pushtetin.
Ai theksoi se protesta mbetet “arma kryesore” e opozitës, ndërsa akuzoi qeverinë për asgjësimin e funksionimit të parlamentit. Sipas tij, nuk lejohen komisione hetimore, interpelanca apo debate me mocion, ndërsa deputetëve të opozitës u mohohet edhe informacioni dhe dokumentacioni ligjor.
Pavarësisht kritikave, Berisha nënvizoi se opozita nuk do ta braktisë parlamentin, duke e parë këtë si një qëndrim të qëllimshëm. Ai shtoi se veprimet do të vazhdojnë paralelisht me qytetarët, duke e konsideruar opozitën legjitime në çdo formë të “kryengritjes paqësore” kundër qeverisë.