Në Kosovë po vazhdojnë përgatitjet për zbatimin e një pakoje të re të rimëkëmbjes ekonomike, e cila synon të mbështesë kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë përballë rritjes së kostos së jetesës.
Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se në fokus të kësaj pakoje është edhe ndarja e një pensioni shtesë prej 150 eurosh për pensionistët, si një masë e drejtpërdrejtë mbështetëse për këtë kategori.
Sipas këtyre burimeve, kjo pagesë pritet të realizohet më 15 maj ose 15 qershor, në varësi të kohës së miratimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike në Kuvend dhe përfundimit të procedurave të nevojshme institucionale.
Pensionistët konsiderohen ndër më të prekurit nga inflacioni dhe rritja e çmimeve bazë, ndaj kjo mbështetje financiare shihet si një hap i rëndësishëm për lehtësimin e barrës ekonomike. Pas votimit në Kuvend dhe miratimit përfundimtar nga Qeveria, pritet të hapet rruga për ekzekutimin e pagesave, duke mundësuar që përfituesit ta marrin këtë ndihmë brenda afateve të përmendura.