Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për heqjen e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Masa ishte vendosur më herët nga GJKKO me kërkesë të SPAK dhe tashmë mbetet në fuqi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Ilir Panda, i cili ka konfirmuar bllokimin e pasaportës së saj. Dokumenti i udhëtimit ishte sekuestruar që prej 19 nëntorit, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndaj Ballukut është ngritur akuza për shkelje të barazisë në tenderë, e komunikuar në kuadër të hetimeve që po vijojnë. Ajo përballet me dyshime të lidhura me procedura të ndryshme prokurimi publik.
Po ashtu, ajo është nën hetim edhe për çështjen e 7 loteve të Ujësjellësit të Unazës së Madhe, si dhe për përfshirje të mundshme në tre tenderë të tjerë. Me këtë vendim, masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit mbetet në fuqi, ndërsa hetimet vazhdojnë.