Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një takim me asamblenë e kësaj force politike në Njësinë 14 në Tiranë, ku u ndal në çështje ekonomike dhe sociale.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se rritja e ekonomisë ka krijuar mundësi konkrete për rritjen e pensioneve në mënyrë të qëndrueshme. Sipas tij, këto masa janë të planifikuara dhe nuk varen nga zhvillimet e papritura të viteve të ardhshme.
Rama u shpreh se rritja e pensioneve do të vijojë në mënyrë progresive, duke u shumëfishuar çdo vit deri në vitin 2030. Ai theksoi se rritja e bërë në janar do të dyfishohet vitin e ardhshëm dhe do të vijojë me ritme edhe më të larta në vitet pasuese.
Në vijim, ai hodhi poshtë pretendimet që lidhin zhvillimin ekonomik me korrupsionin, duke argumentuar se rritja e të ardhurave të shtetit dhe mundësia për të rritur pagat e pensionet tregojnë të kundërtën.