Dy gra humbën jetën mëngjesin e sotëm në Vlorë, në dy ngjarje të ndodhura brenda më pak se tre orësh në zona të ndryshme të qytetit. Të dy rastet kanë tronditur komunitetin lokal dhe janë aktualisht nën hetim.
Rasti i parë ndodhi rreth orës 05:10 në lagjen “Kushtrimi”, ku një grua 62-vjeçare u gjet pa shenja jete në rrugë nga shërbimet e urgjencës. Dyshohet paraprakisht se ajo është vetëhedhur nga kati i tretë i banesës së saj.
Ngjarja e dytë u regjistrua rreth orës 08:10 në zonën e Transballkanikës, në vendin e njohur si “Kulla Fegaj”. Një grua 78-vjeçare dyshohet se ka rënë nga ballkoni i katit të dytë dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Sipas informacioneve paraprake, të dyja gratë dyshohet se vuanin nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtyre ngjarjeve.