Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi në një konferencë për shtyp këtë të martë, 31 mars, se është miratuar Skema Kombëtare Mbështetëse për Fermerët, duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin e sektorit bujqësor.
Ai u shpreh se kjo skemë është hartuar dhe konsoliduar në bashkëpunim me fermerët në të gjithë territorin, pas një procesi dëgjesash, dhe se do të prezantohet zyrtarisht gjatë ditës.
Sipas ministrit, qeveria ka akorduar një buxhet prej 5.2 milionë lekësh për këtë nismë, e cila synon të mbështesë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore dhe agroturizëm, si dhe të hapë thirrje të reja për fermerët e rinj.
Ai shtoi se mbështetja përfshin grante konkrete për sektorë të ndryshëm, si 10 milionë lekë për fermerët e rinj kryesisht në blegtori, rreth 3 milionë lekë për ndërtimin e staneve, 500 mijë lekë për pajisje dhe makineri bujqësore, si dhe rritje të subvencioneve për gjedhë, të imta dhe bletari, ndërsa për herë të parë parashikohet edhe një mbështetje prej 7 mijë lekësh për dosat në sektorin e derrit.