Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë ka njohur një përshpejtim të ndjeshëm, si rezultat i përmbushjes së detyrave të përcaktuara nga Brukseli, por edhe për shkak të vullnetit të Bashkimit Europian për të çuar përpara procesin e zgjerimit.
Në një intervistë për “RAI”, ai theksoi se Italia mbetet mbështetësi kryesor i Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke nënvizuar rolin e saj vendimtar në këtë proces.
Sipas Ramës, Korridori 8 përbën një projekt strategjik shumë të rëndësishëm, i cili falë qeverisë aktuale në Itali ka hyrë tashmë në një fazë të re zhvillimi dhe po merr një shtysë konkrete për realizim.
I pyetur edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, Rama u shpreh se bëhet fjalë për një iniciativë me rëndësi më të gjerë europiane, duke përmendur marrëveshjen trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si bazë të këtij projekti strategjik.