Analisti Shkëlzen Gashi ka sjellë në vëmendje një artikull historik të vitit 1943, të autorit Nebil Çika, për të bërë një paralele të fortë dhe provokuese me realitetin aktual gjeopolitik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gashi ka hedhur idenë se pas më shumë se tetë dekadash nga koha kur diskutohej aneksimi i Kosovës nga Shqipëria, situata duhet të përmbyset dhe të shihet nga një këndvështrim tjetër.
Në shkrimin e tij të dhjetorit 1943, Nebil Çika argumentonte se pa Kosovën, Shqipëria nuk mund të ishte një shtet i vetëmjaftueshëm. Sipas tij, bashkimi me Kosovën do të siguronte pavarësi ekonomike dhe burime të mjaftueshme, si dhe një fuqi më të madhe demografike duke dyfishuar popullsinë dhe peshën politike të vendit.
Po ashtu, Çika theksonte se një bashkim i tillë do të sillte zhvillim më të madh mendor dhe kulturor, pasi një treg prej rreth dy milionë banorësh do të krijonte hapësirë më të gjerë për artin, letërsinë dhe jetën intelektuale shqiptare. Ai kritikon edhe elitën politike të Shqipërisë së vitit 1913, të cilët, sipas tij, nuk bënë asgjë për ta kthyer çështjen e Kosovës në një “dogmë” të palëkundur në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve.
Duke reflektuar mbi këto teza pas 83 vitesh, Shkëlzen Gashi vjen me një përfundim ndryshe, duke sugjeruar se sot balanca e nevojës ka ndryshuar drejtim. “Po mendoja se 83 vjet pas botimit të këtij shkrimi, në fakt Kosova do të duhej ta aneksonte Shqipërinë, përndryshe shumë shpejt Serbia ka për ta aneksuar Shqipërinë,” shkruan Gashi. Ky konstatim vjen si një paralajmërim për rreziqet e ndikimit serb në rajon dhe si një thirrje për një rol më proaktiv të Kosovës në raport me shtetin amë, duke përdorur termin “aneksim” në mënyrë metaforike për të theksuar nevojën për një unitet të ri politik e kombëtar. (INA)