Një ngjarje e rëndë me elementë dhune fizike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Tiranë, në zonën e njohur si “Rruga Bardhyl”, ku personazhi i njohur i rrjeteve sociale dhe televizioni, Genard Hajdini, dhe babai i tij, Paqësori, janë sulmuar brutalisht nga një person ende i paidentifikuar publikisht. Të dy kanë përfunduar në Spitalin e Traumës me dëmtime të konsiderueshme.
Sipas dëshmisë së vetë Genardit, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të datës 3 gusht, në ambientet e barit “Oslo”, një lokal mjaft i frekuentuar në zonën lindore të kryeqytetit. Fillimisht, personi në fjalë është konfliktuar me babain e Genardit, duke e kërcënuar dhe sulmuar fizikisht. Ky i fundit ka kontaktuar menjëherë të birin për ndihmë.
