Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën paraprake të sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Belerin dhe mikun e tij Pandeli Kokaveshi. SPAK ka marrë ditë më parë dosjen dhe ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të marrë nga togat e zeza të Vlorës.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës tashmë do të qëndrojë në burg deri në një vendim të dytë, me gjasë deri në përfundim të hetimeve, duke pamundësuar marrjen e detyrës si kryebashiak.
Fredi Beleri arriti të fitonte zgjedhjet në Himarë edhe përse ishte në qeli dhe u arrestua dy ditë para 14 Majit.
Ndërkohë, avokati i tij ka thënë se arrestimi i Belerit nuk qëndron pasi ka “kërcitje” të mëdha mes provave që pretendon Policia dhe Prokuroria. I pyetur se ku do ta marrë klienti i tij detyrën, avokati tha “Kur të dali kryeministri pyeteni si do e vazhdojmë.”
Më tej, mbrojtja e dy të arrestuarve ka thënë se Policia dhe Prokuroria nuk kanë kapur listën me emrat e votuesve, por atë e ka pasur vetëm i infiltruari. Madje, sipas tij ky shtetas duhet të ripyetet sepse Pandeli Kokaveshi pretendon se nuk ka lidhje me asnjë listë votimesh.
“Nuk është takuar asnjëherë me të infiltruarin. Edhe listën me emra Policisë ia ka dhënë po ky i infiltruari. Se Prokuroria dhe Policia nuk e gjejnë se ku është kjo listë. Ta ripyesin atë personin (informatorin), se ku i ka gjetur se i arrestuari nuk i ka dhënë listë”, vijoi më tej avokati i Fredi Belerit.
Fredi Beleri ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa miku i tij Pandeli Kokaveshi ndodhet prej ditësh në QSUT, sepse ka shfaqur probleme shëndetësore me zemrën. Ai mbahet nën mbikëqyrjen e punonjësve të policisë.