Sot, më datë 19 maj 2025, rreth orës 03:34, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë, i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 03:34 është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht. Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares. Menjëherë është njoftuar shërbimi i sigurisë, ndihmës-mjeku i institucionit, si dhe janë njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje (SHKBB).
