Në Parlament ka mbërritur ligji për të bërë disa ndryshime të rëndësishme në skemën e sigurimeve shoqërore. Ndryshimet e reja pritet të prekin pagën maksimale, e cila sipas formulës aktuale, me ndryshimin e pagës minimale rritej me të njëjtën përqindje.
Me propozimet e reja synohet që paga maksimale të mos rritet me të njëjtën përqindje me pagën minimale, por në të njëjtën vlerë absolute me të. Me ndryshimin e fundit paga minimale rritet nga 34 mijë në 40 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale nga 149.954 në 176.416 lekë.
Me ligjin e ri në Kuvend shkon edhe propozimi i Qeverisë Rama për të hequr detyrimin e pagesave të sigurimeve shoqërore nga pensionistët e vetë-punësuar. Nga kjo nismë përfitojnë rreth 1.500 të moshuar të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar, të cilët deri më tani kanë derdhur çdo muaj rreth 95.000 lekë te vjetra për efekt të sigurimeve shoqërore. Pas miratimit të këtij ligji të ri kjo kategori pensionistësh do të kenë më shume të ardhura në familjet e tyre.