SPAK i sekuestron pasurinë me vlerë 3 mln euro ish-Shefit të Operacionales, Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij. Ish-shefi i Operacionales është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar Metamorfoza.
Bëhet fjalë për 22 ambiente biznesi, 10 apartamente, vilë dhe truall.
Oltion Bistri, ish-shef i Operacionales, u arrestua në 27 korrik 2023 në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’. Bistri ishte shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ndërsa në korrik 2021 u emërua drejtori i Policisë së Durrësit, detyrë që e mbajti për disa muaj. Pas ardhjes në krye të bluve të Gledis Nanos, Bistri u transferua drejtues në Lezhë, për të qëndruar vetëm pak muaj dhe sërish me vendim të Gledis Nanos mori emërimin në krye të Forcës së Posaçme Operacionale.
SPAK zbardhi një vrasje dhe tri tentativa vrasjesh falë bisedave të grupeve kriminale të kryera në aplikacionet ‘SKY’ dhe ‘Encro chat’, ku u zbulua se ish-shefi i Operacionales, komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka, (i arrestuar) pasi ushtronte veprimtari të lojërave të fatit në Tiranë në mënyrë të kundraligjshme.
Ish Shefi i Operacionales, zbuloi se si ka hyrë ‘mik’ që të mbante fjalën e tij dhe kazinoja e Pëllumb Gjokës mos të prekej. Në disa prej bisedave të dala nga dosja, ku Gjoka dhe Bistri komunikonin në ‘Sky’, duket se Bistri shërbente si informatori i gjithçkaje çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit.
SPAK ka sekuestruar 3 apartamente të Oltion Bistrit në Tiranë, 2 prej tyre me sipërfaqe përkatësisht nga 400 m2, dhe me vlerë totale 400 mijë euro. Po ashtu ka sekuestruar edhe një apartament me sipërfaqe 110.6 m2 me çmim shitje 50300 euro po në Tiranë.
Bistrit i janë sekuestruar edhe dy dyqane. Një dyqan me sipërfaqe 125 m2 me çmim total prej 300 mijë eurosh i ndodhur në Tiranë, si dhe një tjetër dyqan me sipërfaqe 95 m2 me vlerë 230 mijë euro po në Tiranë.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e verifikimeve pasurore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 9, të vitit 2023, ka regjistruar procedimin pasuror nr. 6, të vitit 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.
Duke qenë se ndaj shtetasit Oltian Bistri ka pasur indicje që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal nr. 09, të vitit 2023, të Prokurorisë së Posaçme, është marrë i pandehur për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal, në bazë të nenit 3/1, gërmat (ç) dhe (d), të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, shtetasi Oltian Bistri është subjekt i këtij ligji dhe mundet që t’i nënshtrohet masave parandaluese pasurore.
Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij.
Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, ka vendosur sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij, si më poshtë:
· 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
·Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 66.5 m2, ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
·Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
· Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;
· Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
· Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
· Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
·Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;
Në total janë sekuestruar:
➢ 22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi);
➢ 10 – Apartamente;
➢ 1 – Vilë;
➢ 1 – Truall;
➢ 1 – Garazh;
➢ 1 – Automjet.
Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro. Prokuroria e Posaçme, ka ekzekutuar vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe të gjitha pasuritë e mësipërme janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë.