“Infrastruktura hekurodhore në Shqipëri po modernizohet dhe brenda 10 vitesh, do të kemi një rrjet të rivitalizuar’’. Kështu ka deklaruar eksperti i hekurudhave njëherazi administrator i rrjetit të transportit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, Dritan Spahiu.
Ai ka vlerësuar projektet, Vorë-Hani Hotit dhe Durrës-Prishtinë duke i cilësuar si investime të jashtëzakonshme.
“Trasporti hekurudhor sfidon transportin rrugor, pra po bëhen investime të jashtëzakonshme. Për rikonstruksionin e linjës Vorë – Hani Hotit, do shpenzohen 370 mln euro për 120 km, për Durrës -Tiranë fondi 80 mln euro. Transporti i mallrave është shumë i rëndësishëm, sepse të lidh me tregun ndërkombëtar hekurudhor, përfitojmë dhe nga tranziti. Vendi jo vetëm lidhet me Malin e Zi, por do lidhemi dhe me Kosovën, si dhe me Maqedoninë e Veriut. Këto tre lidhje do plotësojnë interaktivitetin e rrjetit tonë me atë ndërkombëtar. Po vlerësojmë edhe lidhjen me Greqinë, por jemi në hapa shumë fillestar për të parë se sa leverdi ka. Ndërkohë, janë avancuar negociatat për lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Deri në Pogradec është linja ekzituese, por ka nevojë për rehabilitime të thella”, tha Spahiu.