Kur u pyet nga prokurori për 2414 metra katrorë shtesë në pallatin që kompania Salillari sh.p.k po ndërtonte në afërsi të Kopshtit Zoologjik, Lulzim Salillari, administrator i kompanisë në kohën e ndërtimit, këmbënguli se nuk kishte qenë në dijeni.
Salillari madje i tha prokurorit se ai mësoi për katet pa leje vetëm kur çështja u bë publike në media.
“Ai ka sqaruar se nuk ka qënë në dijeni të këtij fakti dhe ka ardhur në dijeni kur në objekt ka shkuar ministri i Brendshëm dhe e ka bërë publike,” thuhet në dokumentin e njoftimit të akuzës së Prokurorisë së Tiranës.
Të paditurin për katet pa leje para Prokurorisë e ka bërë edhe Arben Maloku, ish-administratori socialist i njësisë së Zall-Herrit, njëherazi themelues i kompanisë Arb&Trans-2010 që ndërtoi pallatin në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.
Maloku deklaroi se nuk kishte dijeni që kompania e administruar nga babai i tij të ketë kryer ndërtim pa leje, ndonëse i tha Prokurorisë se të katërta katet pa leje ishin shitur.
Prokuroria e Tiranës i konsideroi megjithatë dëshmitë e tyre të pabesueshme dhe pas një hetimi gati 2-vjeçar ngriti akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” për kompaninë Salillari dhe administratorin e saj, Lulzim Sallillari.
Po të mërkurën, Prokuroria e Tiranës njoftoi akuzën edhe për kompaninë Arb&Trans-2010, ortakun e vetëm të saj, Shyqyri Maloku dhe punonjësit Hysni Gjoci, Dritan Gjoni, Edmond Ndoj dhe Orgeta Bardho (Kapllani). Kjo shoqëri dhe personat përgjegjës të saj akuzohen se shkelën lejen e ndërtimit me rreth 2700 metra.
“Nga analiza e të gjitha rrethanave konkludohet që të gjithë të dyshuarit kanë qenë në dijeni të kryerjes së ndërtimit në shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit dhe në këto kushte, kanë vijuar të japë secili kontributin e tij për të vijuar me situatën e paligjshmërisë,” thuhet në aktin e njoftimit të akuzës nga prokurori Arenc Çela, njëkohësisht drejtues i Prokurorisë së Tiranës.
Dokumenti i njoftimit të akuzës nga Prokuroria lë të kuptohet se godinat në shkelje të lejes së ndërtimit u toleruan, pavarësisht se inspektorët e IMT-së së Bashkisë së Tiranës pretenduan të kishin ushtruar kontrolle dhe shkeljet ishin gjobitur.
Pallatet e ndërtuara nga kompania Salillari dhe ajo Arb&Trans 2010 u sekuestruan me bujë përmes një vendimi kontrovers të qeverisë, që u mundësoi atyre më pas që t’i riblenin shtesat pa leje me çmime 10 herë më të ulëta se ato të tregut.
Akuza e ndërtimit të paligjshëm në bashkëpunim me qëllime fitimi parashikon dënime nga 3 deri në 8 vjet burg sipas Kodit Penal. Të akuzuarit nuk qenë të arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Një sy qorr për katet pa leje
Prokuroria e Tiranës i filloi hetimet për pallatet që kishin shkelur lejet e ndërtimit në kryeqytet në vitin 2022, kur katet shtesë të komplekseve u denoncuan publikisht prej anëtarëve të qeverisë dhe më pas u konfiskuan në vendime të KKT-së.
Të dy pallatet për të cilat prokuroria ka përfunduar hetimet i përkasin një grupi prej 25 objektesh – kryesisht në kryeqytet, që u konfiskuan plotësisht ose pjesërisht nga Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave 589/2022, pasi u gjetën se kishin shkelur lejet e ndërtimit.
BIRN gjeti me herët se pas një procesi të diskutueshëm, që për eskpertët dhe opozitën shkel barazinë e qytetarëve para ligjit, pallatet u janë rishitur kompanive Salillari dhe Arb&Trans 2010 me çmime 10 herë më të ulëta se tregu. Në procesin e riblerjes, të dy kompanitë kanë pranuar se kishin shkelur lejet e ndërtimit, duke nënshkruar kontratat përkatëse me Ministrinë e Financave.
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës kanë zbuluar se shkeljet e lejeve të ndërtimit kishin qenë të njohura për zyrtarët lokalë të inspektimit dhe për policinë, por ndërhyrjet për të ndaluar paligjshmërinë ishin të vakëta.
Në hetimet për pallatin e Arb&Trans 2010 në rrugën “Myslym Shyri”, inspektorët e IMT-së pretendojnë se ia kishin referuar policisë gjetjet e tyre në janar 2022, duke e konsideruar këtë veprim të mjaftueshëm si kallëzim penal.
Inspektorët e Bashkisë kanë dëshmuar se gjetën shkelje të lejes në kompaninë e themeluar nga Arben Maloku, atëherë administrator i njësisë së Zall-Herrit, që në janar të vitit 2022. Shkeljet ishin jo vetëm në faktin që ishin shtuar kate, por edhe në ndryshim të projektit.
Por gjatë kontrollit në sheshin e ndërtimit, inspektorët kanë pretenduar se nuk gjetën asnjë person përgjegjës dhe procesverbalin e lanë në kantier.
Lidhur me kompanisë Salillari në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, prokuroria vë në dukje se shtesa ishte denoncuar nga qytetarë në korrik 2022 dhe hetimet zyrtarisht filluan në shtator të po atij viti.
Nga inspektorët e IMT-së pranë bashkisë së Tiranës, shkeljet ishin konstatuar që në korrik të vitit 2021, kur kompania ishte gjobitur.
“Nga kontrolli është konstatuar mungesë dokumentacioni në kantierin e ndërtimit, shkelje e kushteve teknike të ndërtimit dhe mungesë e vërtetimit të fillimit të punimeve,” citohen zyrtarët e bashkisë në dokumentin e Prokurorisë.
Ndërkohë, përgjegjësja e sektorit juridik pranë Bashkisë së Tiranës pretendoi se kompania ishte gjobitur më herët për shkeljet e gjetura në ndërtim para se pallati të denoncohej publikisht, por i tha prokurorisë nuk kishte dijeni pse nuk ishte bërë kallëzim penal.
Prokuroria gjeti në hetime se për pallatet ishte marrë fillimisht vendim prishje nga IKMT, por që është pezulluar për shkak të futjes së tyre në procesin e konfiskimit dhe riblerjes së shtesave. Gjithashtu, Instituti i Ndërtimit vlerësoi se strukturat e këtyre pallateve nuk do ishin të qëndrueshme nëse shtesat pa leje prisheshin.
Pallate që ngrihen vetë
Njëlloj si ndërtuesit, edhe mbikëqyrësit e punimeve dhe drejtuesit teknikë të kompanive që duhej të ishin të pranishëm gjatë procesit të punës, i kanë thënë prokurorit Çela gjatë marrjes në pyetje se nuk kishin dijeni për katet shtesë.
Skënder Çota, inxhinier i kompanisë Instituti i Konsulencës në Ndërtim “IKN” shpk, e cila po ashtu është nën akuzë, i tha prokurorisë se ai kishte qenë mbikqyrës për punimet në kantierin e kompanisë Salillari vetëm gjatë hapjes së gropës së themelit dhe nuk kishte dijeni për shtesat.
Sipas tij, mbikëqyrja më pas i kaloi me urdhër verbal inxhinierit Ilir Zmalaj, por edhe ky i fundit pretendon se nuk ka pasur dijeni për shtesat dhe se mësoi për to vetëm kur pa deklarimin e ministrit të Brendshëm të kohës Bledi Çuçi. Zmalaj thotë se atëherë ishte me pushime në Suedi. Ai thotë po ashtu se nuk ka ushtruar kontrolle në kantier, pasi kompania Salillari nuk e ka njoftuar. “Nuk janë njoftuar nga kontraktori me shkrim as verbalisht për përgatitjen e kushteve për akt kontrollin e kuotës 0.00”, thotë ai.
Vetë administratori i kompanisë është shfajësuar se ai nuk i ndiqte punimet në kantier dhe nuk kishte qenë i pranishëm. Ai ua ka kaluar përgjegjësinë për shkeljet punonjësve të tij.
“Ai nuk rri në objekt dhe nuk i drejton punimet personalisht në asnjë kantier të shoqërisë “Salillari” shpk dhe punët i drejton nëpërmjet personelit inxhinjero- teknik që i emëron në përputhje me ligjin dhe ata janë përgjegjës për zbatimin e punimeve sipas projektit dhe kushteve teknike të zbatimit”, citohet Salillari nga prokuroria.
Salillari po ashtu ka këmbëngulur se vetë ai s’ka bërë asnjë urdhër për të ndërtuar kate shtesë.
E njëjta situatë del edhe nga dëshmitë e mbledhura prej drejtuesve dhe përfqësuesve të kompanisë Arb&Trans 2010. Administratori i kësaj kompanie nuk rezulton të ketë dhënë dëshmi, por personat e tjerë përgjegjës të gjithë kanë mohuar dijeninë për shkelje të lejes.
Inxhinierët Dritan Gjoni, drejtuesja teknike Orgeta Kapllani, topografi Edmond Ndoj dhe mbikqyrësi i punimeve, Hysni Gjoci kanë pretenduar mungesë përgjegjësie dhe dijenie. Gjoci ka pretenduar se kompania i ka thënë që do ndryshohej projekti për shkak të formave të pamundura dhe se për këtë ishte bërë aplikim.
Kapllani që duhej të ishte në kantier, sipas prokurorisë ka këmbëngulur se nuk e ka vizituar atë dhe nuk ka qenë e përfshirë në ndërtim. Inxhinieri Dritan Gjoni ka pretenduar se përgjegjësia e tij nuk kishte të bënte me zbatimin e lejes, por kontratat me të tretët dhe blerjet që duheshin për ndërtimin.
Prokuroria këmbëngul se këta persona dhe kompanitë që ata përfaqësojnë ishin në fakt në dijeni të shkeljes së ligjit. “Në rastin konkret, rezulton se të pandehurit e cituar më lart janë bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të ndërtimit të paligjshëm të kryer për qëllim fitimi të parashikuar nga neni 199/a/4 e 25 të K.Penal”, thuhet në dokumentet për njoftim të akuzës.