Arratia e 35-vjeçari Ilir Koçilja, i cili vrau me thikë pas një sherri banal një person në Durrës përfundoi pas disa orësh.
Ilir Koçilja dhe Halil Koka, që u konfliktuan këtë mesditë në Durrës, ishin fqinj me njëri-tjetrin.
Sherri mes tyre nisi në lagjen numër 4 të qytetit, ku Koçilja sulmoi me thikë komshiun. I plagosur 40-vjeçari kapërceu rrugën dhe vrapoi për t’i shpëtuar agresorit të tij, por u rrëzua në rrugë, pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane.
“Erdhën me vrap, ngeli ai çuni. Ambulanca erdhi në kohë. Dëgjova që po shaheshin, pastaj erdhi policia“, tregon një dëshmitar.
Paraprakisht, dyshohet se shkak i sherrit u bë vendparkim poshtë pallatit, por edhe një borxh. Megjithatë, pritet hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Koçilja, sipas policisë, është person problematik në komunitet. Ai shponte dhe gomat e automjeteve të parkuara në rrugë. Njëkohësisht, dyshohet se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.