Sot protestuesit serbë kanë sulmuar me gurë dhe fizikisht gazetarët dhe punonjësit e mediave të Kosovës në veri.
Nga këto sulme pësuan nëntë gazetarë që morën lëndime, por përveç kësaj një veturë u dëmua dhe një kamerë u vodh, raporton Zeri.info.
Por, kjo nuk ishte hera e parë që gazetarët sulmohen në veri, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe më datë 29 maj 2023, ku serbë të maskuar sulmuan gazetarët e mediumit “Kallxo” gjatë raportimit në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët sapo është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Ai u zotua se të gjithë sulmuesit e kriminelët do të dalin para drejtësisë, teksa përgëzoi edhe Policiën e Kosovës për punën e bërë.
“Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit e gazetarëve. Vazhdojmë, të përkushtuar, për drejtësi e pa kompromis kundër milicisë fashiste”, shkroi ai në Facebook. /Zëri