Për herë të parë dhe të vetme, ish kryepolici i Elbasanit, Edmond Koseni, foli për revistën Klan, më 30 korrik 2000. Ruajtja e Peqinit, ringjallja e Tepelenës, zbarkimi në Elbasan.
Komisari tregon se ka qenë e thjeshtë të ndalojë Nehat Kullën dhe se është ndjerë mirë kur ka rrahur Tan Kateshin.
Dritare.net sjell të plotë rrëfimin për atë natë, në Tiranë, kur 60 policë rrethuan shtëpinë ku fshihej i forti i Elbasanit, që sipas Kosenit, përdhu.nonte nuset në ditën e dasmës, i vinte tritol djemve në varr, pasi i vr.iste. Ja si ka qenë Shqipëria e ’97. Më mirë se në këtë rrëfim të Kosenit nuk do ta gjeni kund tjetër.
Nga Rudina Xhunga: Nuk është i majtë, megjithëse pohon me zë të ulët se në Peqin edhe këlyshët e maceve lindin komunistë.
Në 4 qershorin e shkuar mbushi 32 vjeç, ndonëse i pëlqen të thotë 33 . Është i gjatë dhe pse nuk duket. Simpatik, me fytyrë të qeshur dhe sy të dashur, fjali që askush nuk duhet ta ketë artikuluar të plotë para tij, i frikësuar nga fama prej polici të frikshëm.
Ka lindur, është rritur dhe nuk pranon të ikë nga shtëpia e vogël e Peqinit, së cilës së fundi i ka shtuar dy dhoma dhe jeton bashkë me familjen. Nuk do të flitet askund, asnjë fjalë për familjen dhe nuk është çudi të nxehet aq shumë, sa pasi të lexojë këtë shkri.m, të më marrë në telefon dhe të përdorë të njëjtin ton, siç thuhet në një gazetë.
Ndonëse Koseni nuk pranon kurrsesi të ketë telefonuar në gazetë, e aq më shumë të ketë kërcënuar. “Ndoshta ka qenë agron Llakaj që më ka imituar zërin. ai çfarë nuk bën”, thotë peqinasi, që u bë i famshëm, kur prangosi Nehat Kullën.